Krasniqi pasi u zgjodh kryetar i PDK-së: Do të shkojmë rrugës së Thaçit e Veselit

Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Krasniqi ishte i vetmi nga PDK-ja i cili kishte shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë, në Konventën e jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së.

Para delegatëve, Krasniqi ka thënë se PDK-ja si parti kurrë nuk ka qenë më e goditur se sot, derisa është zotuar se do të punojë për ta rikthyer këtë parti në vendin e parë.
Ai thotë se do të ketë shumë sfida dhe pengesa, por me energjinë që kanë do t’ia dalin që t’i tejkalojnë të gjitha.

“Nuk kam fjalë që t’ua shpreh ndjenjën e falënderimit dhe përgjegjësisë që kam ndaj jush ku ju sapo më mveshet me besimin që ua kërkova për të vazhduar rrugëtimin tonë të përbashkët për të shkuar në rrugën e dy liderëve tonë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Dua t’ua shpërblej me punë e më përkushtim të pandalshëm. Do të kemi shumë sfida e pengesa dhe jam i sigurt që nuk do të jetë fare e lehtë, por unë e njoh vullnetin e partisë sonë, dhe duke bazuar në këtë energji të pashtershme do të ia dalim Na prift e mbara”, tha Krasniqi.