Krasniqi: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe BE duhet të marrë sa më parë vendimin për heqjen e vizave

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Vlora Çitaku, ka pritur sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në këtë takim, Krasniqi ka kërkuar që BE sa më parë ta marrë vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen pasi Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se PDK do të vazhdojë ta mbështesë synimin shtetëror për integrimin në BE.

Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:
Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet nacional i yni dhe PDK do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces në çdo drejtim. Në takim me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e konfirmova këtë qëndrim, si dhe përsërita kërkesën që BE sa më parë ta marrë vendimin që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen, kur tashmë disa herë është konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.