Kovçevski-Sanchez: “Maqedonia e Veriut dhe Spanja janë aleatë të fuqishëm”

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez Perez-Castejon, zhvilluan sot takim kokë më kokë, ku u konfirmua edhe një herë miqësia e fortë mes Mbretërisë së Spanjës dhe Maqedonisë së Veriut.

Siç njoftojnë nga Qeveria, në takim u theksua se Spanja është përkrahëse e dëshmuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut në proceset e saj integruese evropiane.

“Në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore, u vlerësua se dy vendet, të cilat janë edhe aleate të NATO-s, prej tre dekadash po ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe se angazhime të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”.

“Në kuadër të vizitës së parë zyrtare të kryeministrit të Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez Perez-Catejón, delegacionet nga të dy vendet zhvilluan një takim dypalësh ku morën pjesë zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërkomunitare, Artan Grubi, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, ministrja e mbrojtjes Slavjanka Petrovska dhe ministrja e kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.