Kovaçevski, Vuçiqi dhe Rama nesër vendosin për bojkotimin e Samitit të Brukselit (VIDEO)

Liderët e vendeve të Ballkanit të Hapur, Dimitar Kovaçevski, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq diskutuan sot për bojkot të mundshëm të Samitit të BE-së që do të mbahet këtë të enjte. Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi sot se kanë realizuar një takim virtual me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku janë diskutuar pozicionet e shteteve përkatëse rreth Samitit dhe perspektivave rajonale. Megjithatë, vendimi përfundimtar për pjesëmarrje ose jo do të merret nesër.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I RMV
“Përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor, sot zhvilluam një takim të jashtëzakonshëm për Ballkanin e Hapur së bashku me kolegët Aleksandar Vuçiq e Edi Rama. Diskutuam për pozicionet kombëtare të secilit vend, perspektivat rajonale dhe dinamikën e procesit të integrimit evropian. Konsultime të brendshme shtesë do të bëjmë nesër në mëngjes kur edhe do të marrim një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen tonë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se në kushtet kur Bullgaria po mban peng gjithë Evropën dhe duket gjithnjë e më e sigurt se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin një tjetër “Jo” nga BE-ja, atëherë liderët e rajonin nuk kanë çfarë kërkojnë në Bruksel.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria, nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”

Për takimin njoftoi edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Ai tha se përveç për çështjen e pjesëmarrjes ose jo në Samit, është folur edhe për aktivitetet e ardhshme të Ballkanit të Hapur.

ALEKSANDAR VUÇIQ, PRESIDENT I SERBISË
“Pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, jemi marrë vesh që nesër në mesditë ta tregojmë vendimin tonë nëse do të marrim pjesë në këtë tubim. Kemi shkëmbyer gjithashtu mendime për hapat e ardhshëm të nismës sonë Ballkani i Hapur – panairi i verës, i cili do të mbledhë verëtarët më të mirë nga rajoni, si dhe për takimin e ardhshëm, ku do të diskutojmë çështje të shumta me interes për qytetarët tanë”.

Konferenca e nivelit të lartë e BE-së me Ballkanin Perëndimor do të mbahet të enjten. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin dritën e gjelbër për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare me BE-në, por duket se vetoja bullgare do të mbetet në fuqi, duke marrë parasysh edhe turbulencat e brendshme politike në Sofje.  /SHENJA

https://youtu.be/1ydlEnuiFR0