Kovaçevski: “Siguria jonë e garantuar”

Ndërprerja e menjëhershme e agresionit ushtarak në Ukrainë – ishte mesazhi i dërguar nga vendet anëtare të NATO-s. Kjo ditë u shënua edhe në Maqedoni. Kryeministri theksoi rëndësinë e anëtarësimit në Aleancë.

“Ne i monitorojmë dhe kundërshtojmë operacionet, që synojnë provokimin e një krize sigurie, që do të ndikojë në stabilitetin dhe prosperitetin dhe do të krijojë një dilemë mbi rolin strategjik të NATO-s dhe BE-së në rajon. Procesi ishte i gjatë por tani, në një kohë krize ushtarake të kësaj përmase, ne e kuptojmë se sa e rëndësishme është të jesh një vend, siguria e të cilit garantohet nga aleanca më e madhe e sigurisë dhe mbrojtjes në botë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Në rrugën tonë drejt anëtarësimit, ne tejkaluam bllokadat, bëmë kompromise të dhimbshme, u rezistuam përpjekjeve për destabilizimin e brendshëm, por edhe presioneve të jashtme dhe demonstruam kapacitetin dhe mençurinë tonë historike për të kapërcyer pengesat”, u shpreh Slavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.
Ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Meri Bërns, theksoi se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Aleanca forcohet edhe më shumë.

“Sot, kur pushtimi i pajustifikuar rus i Ukrainës kërcënon stabilitetin rajonal, ne shohim se sa i rëndësishëm është ky partneritet, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Evropën. Si një partner i vlerësuar dhe i barabartë, Maqedonia e Veriut ka ndarë vullnetarisht barrën në përgjigje të këtij kërcënimi aktual”, deklaroi Kejt Meri Bërns- Ambasadore e Shteteve të Bashkuara.

Dita e NATO-s, në Maqedoni u shënua në organizim të Këshillit Euroatlantik, kryetari i të cilit është, Ismet Ramadani, i cili tha se vlerat e që i ndanë Aleanca, janë ato që kanë shkaktuar frikë.

“Rusia autoritare e Putinit nuk do që, ta themi popullorçe, në fqinjësi të ketë vende demokratike, që i ndërtojnë sistemet e tyre politike mbi standardet euroatlantike”, tha Ismet Ramadani – Kryetar i Këshillit Euro-Atlantik.
Në prag të 73-vjetorit të NATO-s, godina e Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të tjera qeveritare u ndriçuan me ngjyrat e Aleancës./Alsat.mk