Kovaçevski-Rama: “Kemi bashkëpunim të ngushtë dhe rrugë të përbashkët drejtë BE-së”

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së RMV-së dhe asaj të Shqipërisë, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin më të lartë të mundshëm.

“I dashur Edi dikush nuk besonte, por ja ne bashkë po ecim në rrugën drejt integrimit evropian. Ju Edi por edhe Republika e Shqipërisë dëshmuat miqësinë e vërtet edhe gjatë anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Kemi qëllim të përbashkët, anëtarësimin në BE”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së, duke shtuar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dëshmojnë më së miri për një fqinjësi të mirë.

“Sot do të nënshkruajmë shumë marrëveshje dhe memorandume”, tha Kovaçevski. Në takim, kryeministrat e dy vendeve theksuan rëndësinë e nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh, i cili u vlerësua se është ende në nivel të lartë. Kryeministrat diskutuan nevojën e forcimit të bashkëpunimit në segmente të shumta, veçanërisht në këto kohë të trazirave ushtarake dhe krizës energjetike botërore.