Kovaçevski: “Për ndryshimin e kushtetutës duhet konsensus kombëtar” (VIDEO)

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, refuzon të përgjigjet konkretisht nëse “20%” siç saktësohet në Kushtetutë e që i referohet etnisë shqiptare do të zëvendësohet me “Gjuhën shqipe”, që nënkupton një barazim me gjuhën maqedonase. Kovaçevski sqaroi deklaratën e djeshme ku tha se pas rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë “ka bazë për ndryshime kushtetuese” për heqjen e 20% që i destinohet përdorimit të gjuhëve. Ai u shpreh se për këtë do të komentoj kur të filloj procedura për ndryshime kushtetuese, për të cilën kujtoi se nevoitet konsensus nacional.

Dimitar Kovaçevski, kryeministër
“Kushtetuta ndryshohet në përputhje me procedurën kushtetuese dhe këtë mund ta komentojmë vetëm kur do të hapet diçka e tillë. Për këtë është e nevojshme shumicë prej 2/3 në Kuvend, që do të thotë se duhet konsensus nacional. Sa i takon ndryshimeve kushtetuese, është legjitime të filloj procesi për ndryshime kushtetuese. Duke u përfshirë të gjitha partitë politike dhe ekspertë, besoj se do të gjendet zgjidhje në dobi të të gjithë qytetarëve në shtet”.

Këto reagime kanë pasuar pas shpalljes së rezultateve të regjistrimiti të popullsisë, që u publikuan më 30 mars. Sipas tyre, 54.21% e popullatës ishin deklaruar maqedonas, ndërsa 29.52% shqiptarë. Përsa i përket popullsisë jorezidente ose qytetarët të cilët kanë emigruar jashtë vendit, vërehet se numri i shqiptarëve është pothuajse tri herë më i madh. Maqedonasit si popullsi jorezidente janë 24,45%, shqiptarët jo rezidentë janë regjistruar 66,36%. Popullsia e përgjithshme në shtet është 1.8 milion banorë.