Kovaçevski për hyrjen e mundshme të ASH-së në Qeveri: Po, ka gjasa

Ka gjasa që Aleanca për Shqiptarët të hyjë në Qeveri, por kjo do të varet edhe nga marrëveshja politike, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Aleanca për Shqiptarët ka një vullnet të shprehur politik që është “për” konceptin evropian të shtetit. A do të hyjë në Qeveri? Po, ka gjasa për këtë. Ashtu siç kanë thënë liderët e tjerë politikë. Dhe a do të ndodhë kjo? Kjo varet nga marrëveshja politike. Marrëveshja politike ka gjithmonë dy aspekte – njëra është programuese dhe tjetra është kadrovike. Derisa të ndodhë një gjë e tillë, nuk mund të themi me siguri se do të ketë partner tjetër qeveritar”, tha Kovaçevski në një përgjigje të pyetjes së gazetarit në një konferencë për media në Qeveri, ku bashkë me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ai informoi për procesin e skriningut dhe aktivitetet e mëposhtme lidhur me integrimet në BE.

Kryeministri thekson se është e hapur mundësia për të gjithë ata që duan t’i bashkohen konceptit të Maqedonisë së Veriut evropiane dhe tani është koha për ta bërë këtë, sepse siç tha ai, nga ne varet anëtarësimi më i shpejtë i vendit në Bashkimin Evropian.