Kovaçevski: “Një mirënjohje e madhe për të gjithë punëtorët në vend, qeveria është aleati i tyre i sinqertë”

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ua ka uruar ditën e punëtorëve – 1 majin të gjithë punëtorëve në vend.
Në mesazhin e tij për festën, kryeministri theksoi se punëtorët në të dhe në Qeveri kanë aleat për çdo çështje dhe se të gjithë së bashku, Qeveria, punëtorët dhe sindikatat do t’i kalojmë të gjitha sfidat.

“Punëtorët janë forca lëvizëse e ekonomisë dhe zhvillimit shoqëror. Prandaj kjo Qeveri dhe unë si Kryeministër e njohim dhe vlerësojmë punën e tyre. Këtë vit ne festojmë Ditën Ndërkombëtare të Punës në kushtet e krizës globale ekonomike dhe energjetike. Përkundër të gjitha sfidave, ne mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave të punëtorëve”, tha kryeministri Kovaçevski.
Në tri javët e para të punës së qeverisë së re, siç thotë ai, kemi ardhur deri te rritja historike e pagës minimale në 18.000 denarë.

“Filluam dialogun me Federatën e Sindikatave të Maqedonisë për të arritur një marrëveshje të re të përgjithshme kolektive për sektorin publik. Do të mundësojë rritje të vazhdueshme të pagave sipas kritereve që do t’i përcaktojmë bashkërisht. E diela jopune është një hap tjetër drejt promovimit të të drejtave të punëtorëve dhe drejtësisë sociale. Ky ligj është një konfirmim se kujdesi dhe përkrahja për punëtorët është prioritet i Qeverisë”, tha kryeministri. Ai shprehet se ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krah të punëtorëve.

“Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë në krah të punëtorëve, ata në mua dhe në këtë Qeveri kanë aleat për çdo çështje dhe çdo problem do ta zgjidhim bashkë. Ka ende shumë punë për të bërë në këtë fushë, por së bashku me punëtorët dhe sindikatat do t’i kalojmë të gjitha sfidat. Në emër tim dhe në emër të Qeverisë i jap mirënjohje të madhe të gjithë punëtorëve në vend”, ka thënë kryeministri Kovaçevski në kartolinën përshëndetëse.