Kovaçevski – “Na pret dimër i rëndë, ditë e natë përgatisim plane”

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i është përgjigjur “këshillave patriotike” të Mickoskit, përcjell TV21. Kovaçevski tha se partnerët e koalicionit aktual qeverisës nuk planifikojnë takim liderësh ku do të diskutohej për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi sipas tij vendin e presin muaj të vështirë si pasojë e krizës globale në ekonomi dhe energjetikë.

“Në agjendë një takim i tillë kemi treguar tashmë edhe si parti politike, por edhe partnerët e koalicionit thanë se një takim i tillë nuk duhet të mbahet sepse një kërkesë e tillë vjen në kushte të krizës më të madhe energjetike dhe ekonomike në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, kemi para dimrin më të rëndë të kësaj gjenerate dhe gjeneratave më të vjetra, me të cilën do të duhet të ballafaqohemi dhe për të cilën natë e ditë përgatisim plane për muajt e dimrit”, tha Kovaçevski.

Ndryshe, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje ka dërguar këshilla patriotike kryeministrit Dimitar Kovaçevski, duke e thirrur që të vetëdijesohet dhe të kuptojë se ai nuk është armiku i tij.

Mickoski tha se “ndoshta janë konkurrentë politik, por jo armiq të Maqedonisë dhe të institucioneve”, duke aluduar tek Ministri Kreshnik Bekteshi, i cili i reagoi një gazetareje në Shqipëri, duke I thënë se nuk është “ministër maqedonas”, por ministër i Maqedonisë së Veriut, Mickoski e quajti akt armiqësor.

Pas kësaj, Mickoski i bëri thirrje Kovaçevskit edhe që të mos mendojë se dikush ia ruan shpinën, por i dërgoi mesazh se shpinën duhet të ia ruajnë njëri-tjetrit, për të mirën e shtetit.