Kovaçevski – Mishel: Mbështetje e fuqishme – anëtarësim i plotfuqishëm në BE

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot realizoi takim me Kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

Në takim, Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel potencuan se propozimi evropian për fillimin e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut i përfshin të gjitha pozicionet dhe vërejtjet dhe se bisedimet mund të fillojnë menjëherë pas miratimit të të njëjtit. Propozimi, theksuan Kryeministri Kovaçevski dhe Kryetari Sharl Mishel, parasheh gjuhë të pastër maqedonase, të barabartë me gjuhët e tjera të vendeve anëtare të BE-së.

Në takim nga ana e Kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel edhe njëherë u potencua mbështetja dhe angazhimi i Bashkimit Evropian për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se këto janë momente kyçe për avancimin e shtetit tonë në aspekt ekonomik, politik dhe në aspekt sociologjik.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se mbështetja e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut është e një rëndësie të veçantë për shtetin në përmbushjen e qëllimit themelor strategjik, përkatësisht anëtarësimit të plotë në BE.

Kryeministri Kovaçevski në takim theksoi se ditët e kaluara propozimi i Presidencës franceze është diskutuar në takime konsultative me liderët e koalicionit qeveritar, me korin diplomatik, sektorin civil, me përfaqësues të opinionit ekspert dhe mediave, si dhe me partitë opozitare.