Kovaçevski: “Jemi duke e avancuar administratën publike me anë të reformave”

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mbajti sot fjalim në konferencën Ministrore të Ballkanit Perëndimor për reformat në administratën publike, e cila u organizua në Shkup nga SIGMA/OECD dhe Shkolla rajonale për Administratë Publike (ReSPA).

Në ngjarjen në të cilin mbajti fjalim edhe Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti, organizuar me qëllim prezantimin dhe promovimin e praktikave të mira për transformimin e administratës publike, si dhe zbatimin e reformave kyçe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve morën pjesë ministra të resorit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Komisionit Evropian, komunitetit të donatorëve, organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë dhe nëpunës të lartë publikë.

Në vazhdim ju përcjellim fjalimin hyrës të Kryeministrit Kovaçevski, i cili ndër të tjera e shfrytëzoi konferencën e sotme për të falënderuar organizatorët, SIGMA, RESPA, Bashkimin Evropian, të përfaqësuar nga delegacioni Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe përfaqësuesit të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Kovaçevski theksoi mbështetjen e tyre të madhe në procesin e avancimit të gjendjeve në administratë, duke ndihmuar me projekte specifike dhe përmes përvojave krahasuese dhe shembujve të suksesshëm nga vendet e tjera në fushën e reformave, digjitalizimit të shërbimeve dhe qeverisjes së mirë:

“Më paraqet nder dhe kënaqësi të veçantë për mua të jem sot pjesë e kësaj konference të rëndësishme, e cila paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për diskutim dhe shkëmbim përvojash dhe praktikash efektive që do të kontribuojnë në transformimin e administratës publike.

Reforma e administratës publike paraqet një nga prioritetet kyçe dhe është parakusht i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai përfshihet në klasterin e parë, “Bazat”, i cili është thelbësor për dinamikën e negociatave në tërësi. Prandaj, si një vend që ka nisur negociatat me Bashkimin Evropian, ne i shohim këto procese reformuese si vendimtare për zhvillimin dhe dinamikën e procesit të anëtarësimit.

Maqedonia e Veriut ka hedhur themele të mira dhe po bën përparim në këtë segment, gjë e cila theksohet në Raportin e Komisionit Evropian, në Raportin e monitorimit të kryer nga SIGMA, si dhe në Konkluzionet e Grupit Special për Reformat e Administratës Publike për vitin 2021.

Këto dokumente, përveçse japin një pasqyrë realiste dhe objektive të progresit të arritur, zbulojnë edhe fusha që kërkojnë reforma shtesë me qëllim që të harmonizohemi me standardet e Bashkimit Evropian. Sfidat që kemi përpara ne po përballemi me një ritëm dinamik, jo vetëm në drejtim të fillimit zyrtar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në angazhimin e vazhdueshëm për të ofruar një administratë publike moderne dhe efikase të bazuar në digjitalizimin që ofron shërbime cilësore dhe të shpejta për qytetarët dhe kompanitë.

Digjitalizimi në vetvete nuk është ekskluzivisht tekniko-teknologjik, por është edhe një proces shoqëror dhe duke e njohur rëndësinë e tij, ne si Qeveri vazhdojmë me përkushtimin tonë të fortë politik në procesin e reformës së administratës publike.

Edhe pse për shkak të pandemisë u përballëm me sfida të mëdha lidhur me zbatimin e Strategjisë për reforma në Administratën Publike, megjithatë, procesi i reformës nuk u ndal. Përpjekjet tona gjatë gjithë këtyre viteve, pavarësisht rrethanave, kanë çuar në një përmirësim të efikasitetit, transparencës dhe aksesueshmërisë së lehtë të administratës publike. Ky angazhim u njoh edhe nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat e renditën Qeverinë në vendin e parë sipas transparencës aktive.

Kjo na jep një motiv për të qëndruar të përkushtuar ndaj procesit të reformës, por edhe avancimit të segmenteve që do të mundësojnë një administratë më efikase që do të plotësojë nevojat e qytetarëve.

Në këtë drejtim, Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës është duke përgatitur një dokument të ri strategjik tetëvjeçar për reformën në administratën publike ndërsa Këshilli për reformën e Administratës Publike vazhdon të punojë me angazhim të vazhdueshëm politik për të realizuar angazhimin për administratë publike efikase, produktive dhe profesionale.

Krijimi i një administrate publike efikase, moderne dhe të orientuar drejt shërbimeve është përgjegjësia jonë dhe po punojmë aktivisht për përmirësimin e kushteve për komunikim pa pengesa me qytetarët. Ne i krijojmë politikat tona në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke respektuar pikëpamjet e qytetarëve dhe në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile në reformat kryesore të sektorit.

Për këto arsye, me pjesëmarrjen time në këtë konferencë, dua të theksoj rëndësinë e reformës së administratës publike, por edhe angazhimin e Qeverisë në këtë proces, i cili ka një rëndësi të madhe për vendin tonë. Në këtë kuptim, është veçanërisht e rëndësishme të përfshihen të gjithë ata që janë të angazhuar në arritjen e qëllimeve me interes publik, të gjithë ata që kanë kompetenca, njohuri dhe entuziazëm dhe që janë kyç për avancimin e vlerave demokratike në vendin tonë avancimi i proceseve reformuese dhe anëtarësimi në BE.

Shfrytëzoj rastin e sotëm për të inkurajuar të gjithë palët e interesuara që të përdorin në mënyrë aktive të gjithë mekanizmat konsultativë institucionalë për bashkëpunim, komunitetin e donatorëve dhe palët e tjera të interesuara, në mënyrë që të punojmë së bashku për të avancuar reformat e sektoreve kyç dhe avancimin e potencialit të shoqërisë sonë.

Në fund, dëshiroj të falënderoj partnerët dhe mbështetësit tanë në procesin e reformës së administratës publike, para sëgjithash: SIGMA, RESPA, Bashkimin Evropian, të përfaqësuar nga delegacioni evropian në Maqedoninë e Veriut, organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe shoqëria civile. Ata janë mbështetja jonë serioze në procesin e përmirësimit të situatës në administratë, duke ndihmuar me projekte konkrete, përvoja krahasuese dhe shembuj të suksesshëm nga vende të tjera në fushën e reformave, digjitalizimit të shërbimeve dhe qeverisjes së mirë.

Ne vazhdojmë të punojmë në mënyrë aktive dhe të përkushtuar në proceset reformuese në bashkëpunim me të gjithë palët e përfshira, me synim administratë dhe shërbimin më efikas të qytetarëve, por edhe realizimin e synimeve strategjike të shtetit me anëtarësim të plotë në BE”.