Kovaçevski i gatshëm të jetë nikoqir i takimit Kurti – Vuçiq


Kryeministri Dimitar Kovaçevski është i gatshëm të jetë nikoqir i takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pjesë e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohen nën patronatin e BE-së dhe SHBA-së, më 18 mars në Maqedoni të Veriut, konfirmuan për MIA-n nga Qeveria.

Në takim, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Në pyetjen e MIA-s nëse kryeministri Kovaçevski do të pranonte të jetë nikoqir i këtij takimi muajin e ardhshëm në vend, nga Qeveria u përgjigjën pozitivisht dhe cekën se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa Maqedonia e Veriut edhe njëherë dëshmon se është faktor i stabilitetit, përkatësisht vend anëtar i NATO-s, e cila i filloi negociatat me BE-në dhe si vend kryesues me OSBE-në, organizatën më të madhe të sigurisë në Evropë.