Kovaçevski: Goditje e rëndë për perspektivën evropiane të Maqedonisë, por nuk është vonë për të ndryshuar drejtim


Shpresonim për rezultate më të mira, por është e qartë që njerëzit na ndëshkuan dhe ne e pranojmë këtë. Sot është një goditje e rëndë për perspektivën evropiane të Maqedonisë. Por ende nuk është vonë për të ndryshuar drejtimin,te ne nuk është opsion dorëzimi”, tha kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në një konferencë për media.

Ai shtoi se LSDM-ja asnjëherë nuk do të heqë dorë nga e ardhmja evropiane e Maqedonisë dhe se kanë edhe dy javë për të dërguar mesazhin te çdo qytetar se e vetmja rrugë për ndryshime reale thelbësore janë integrimi evropian.

“Është koha të lëmë mënjanë dallimet tona dhe të bashkohemi pas idesë së një Maqedonie evropiane. Duhet t’i lëmë mënjanë të gjitha mosmarrëveshjet, sepse këtu po flasim për të ardhmen e vendit dhe nëse e humbim rastin, do të duhet shumë më tepër kohë për ta kthyer vendin në rrugën e duhur”, tha Kovaçevski.

Kryetari i LSDM-së shtoi se e di që një pjesë e madhe e përkrahësve të tyre janë të zhgënjyer, por tha se tani nuk është koha për t’u dorëzuar.

“Kemi edhe dy javë, do të jem në terren, çdo ditë me ju dhe do të punojmë që të marrim mbështetjen për Maqedoninë evropiane”, tha Kovaçevski.