Kovaçevski do të përshpejtojë marrjen e detyrës: “I kemi përfunduar negociatat me partnerët” (VIDEO)

Dimitar Kovaçevski nuk do të shfrytëzojë afatet maksimale që ka dispozicion për të formuar kabinetin e ri qeveritar. Këto janë informacionet të cilat vinë nga LSDM-ja dhe nga partitë tjera të koalicionit. Mandatin për formimin e Qeverisë së re, ai pritet ta marrë nesër nga presidenti Stevo Pendarovski. Kovaçevski pas marrjes së mandatit ka 20 ditë afat për të propozuar kabinetin e ri qeveritar por pritet që këtë ta bëjë më shpejt.

“Kemi përfunduar negociatat me të gjithë partnerët e koalicionit dhe në fazë është përpilimi i programit qeveritar dhe në afatin kohor sapo ta marrim mandatin do të propozojmë qeveri e cila unë besoj se nga mesi i janarit, diku 18 janar, do të votohet. Ajo do të ketë legjitimitet të plotë të ballafaqohet me sfidat më të mëdha që i kemi si shtet, krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuara nga Kovid-19 dhe me krizën energjetike”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Pasi Kovaçevski të dorëzoi propozimin për kabinetin e ri, Kuvendi ka afat 15-ditor të diskutojë për të. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, pret që edhe ky afat të mos shfrytëzohet në maksimum.
“Ka paralajmërime dhe mundësi që diku më 10 ose 11 janar të dorëzohet përbërja e Qeverisë së re dhe programi dhe në bazë të asaj do të duhet në koordinim me grupet parlamentare të përcaktojmë brenda 15 ditëve se cilët dy ditë do të punohet për zgjedhjen e qeverisë së re. Përafërsisht këto mund të jenë 15 dhe 16 janari, e shtunë dhe e diel”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ndryshimet brenda strukturave të LSDM-së do të sjellin edhe ndryshime brenda kabinetit qeveritar. Shumë prej eksponentëve të ekzekutivit në dorëheqje nuk pritet të jenë më pjesë e përbërjes së ardhshme të tij, në mesin e tyre; Oliver Spasivski, Milla Carovska, Venko Filipçe dhe Radmilla Shekerinska.

Disa prej resorëve të LSDM-së do t’i kalojnë Alternativës dhe disa do të këmbehen me BDI-në. Alternativa do të marrë Shëndetësinë kurse BDI-ja Arsimin. PLD-ja do të marrë Bujqësinë kurse pritet të shtohet edhe numri i ministrave pa resor. Deri tani nga LSDM-ja nuk kanë konfirmuar asnjë emër.