Kovaçevski: Deri në vitin 2023 ulje të tatimit personal në IT nga 10 në 0 për qind

“Deri më vitin 2023, parashohim ulje të tatimit të personal në sektorin TI nga 10 në 0 për qind, që do të jetë një nxitje e fortë për të rinjtë që të fokusohen më shumë drejt këtij sektori ku dita ditës nevojiten më shumë punëtorë “, tha sot Kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri njoftoi se deri në vitin 2023 parashihen një sërë masash stimuluese në sektorin e TIK-ut, përveç uljes së tatimit personal nga 10 përqind aktuale në 0 për qind, përjashtim nga tatimi për rikualifikim, trajnime, trajnime shtesë në kompanitë, përjashtim nga tatimi nga kostoja e licencës për industrinë TI.

Kovaçevski i shoqëruar nga ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovana Trençevska dhe drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati, sot vizituan kompaninë “Mexhiks”.

Bëhet fjalë për kompani start-up të themeluar nga sipërmarrësja e re Katerina Zdravevska duke shfrytëzuar masën për vetëpunësim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Kovaçevski i uroi suksese kësaj kompanie të re të specializuar për zbatimin e algoritmeve të inteligjencës artificiale, duke theksuar se sipërmarrësit kanë mbështetje të fuqishme nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila do të vazhdojë të investojë në kompani me perspektivë.

“Mbështetja financiare e Qeverisë për kompanitë dhe startup-et premtuese në sektorin e TIK-ut do të vazhdojë dhe do të rritet. Çdo punë e re në këtë industri nënkupton pozitë të mirëpaguar, karrierë të sigurt dhe zhvillim të rinisë dhe në fund zhvillim të ekonomisë dhe rritje të standardit jetësor në vend”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Me këtë rast, ai u shpreh i kënaqur me rezultatet e planit operativ për punësim me shfrytëzim mbi 92%, që vërteton se paratë po investohen si duhet. Gjithashtu, trajnimet për zhvillimin e aftësive digjitale kanë realizim 100%, dhe vetëm falë kësaj mase 400 persona të papunësuar kanë fituar aftësi digjitale.

“Për shkak të efikasitetit dhe interesimit të madh vitin e kaluar, në vitin 2022 kemi krijuar Planin Operativ në vlerë prej 28 milionë euro. Është 230 milionë denarë më shumë se vitin e kaluar”, nënvizoi Kryeministri Kovaçevski.

Sektori i TIK-ut në Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit shënon rritje të vazhdueshme lidhur me numrin e kompanive dhe të punësuarve, rritje të eksportit dhe të ardhurave. I kemi shndërruar përpjekjet tona për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës dhe rritjen e kësaj industrie në masa konkrete me kërkesë të sektorit.