Kovaçevski: “Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është i një rëndësie të veçantë, ndihemi të mbrojtur dhe të sigurt”

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në një intervistë për të përditshmen austriake “Di Prese” tha se në kohën e agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, anëtarësimi në NATO ka një rëndësi të madhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht për ekonominë e saj.

“Sulmi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës dëshmon se anëtarësimi në aleancën më të madhe të mbrojtjes në botë, NATO, është me rëndësi të madhe për çdo anëtar. Ne jemi një vend i vogël. Siguria jonë garantohet nga të gjithë anëtarët e NATO-s, gjë që ka shumë anë pozitive për shoqërinë tonë si dhe për ekonominë tonë, sepse investitorët e huaj, veçanërisht ata në sektorin e infrastrukturës, e dinë se janë në një vend të sigurt, të mbrojtur nga NATO”, tha kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski ka folur dhe për interesin e vazhdueshëm gjeostrategjik të Rusisë në Ballkan.
“Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë me interes për Rusinë. Ndikimi i saj përmes mediave, duke përfshirë edhe disa parti politike, ka qenë gjithmonë i pranishëm. “Rusia ka një interes për konfliktet e ngrira në Ballkan, të cilat i pengojnë vendet të ndjekin rrugën e tyre drejt integrimit euroatlantik”, tha ai për median austriake.