Kosovë/Viti i ri akademik do të fillojë në formë të kombinuar

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 14 gusht, shqyrtoi procesin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/21, në situatën e vazhdueshme të pandemisë COVID-19. Në këtë konferencë u theksua gatishmëria e të gjitha universiteteve publike të Kosovës, që vitin akademik ta fillojnë me kohë, më 1 tetor.

Për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, viti akademik do të fillojë në formë të kombinuar, në atë virtuale dhe fizike. Disa nga aktivitetet e procesit mësimor do të vazhdojnë të bëhen në formën fizike, si provimi pranues për studentët e ri, duke respektuar masat antiCovid-19. Ndërsa disa aktivitete të tjera, si ligjërata, konsultime, punime seminari etj., do të vazhdohen në formatin online.

Konferenca e Rektorëve konstaton se si rrjedhojë e shtyrjes së Provimit të Maturës për datën 29 gusht, studentët e vitit të parë do të pranohen me vonesë dhe mësimi për ta do të fillojë me një vonesë deri në dy muaj. Pavarësisht nga kjo, Konferenca e Rektorëve angazhohet që semestri për këta studentë të jetë i plotë dhe pa asnjë dëmtim të rrjedhës normale të procesit mësimor.