Kosovë, Ujësjellësi siguron se uji në qytetet rreth Deçanit “është i sigurt”


Pas he*lmimit të qindra personave në Komunën e Deçanit në Kosovë – që dyshohet se ndodhi për shkak të ujit – ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” porositi qytetarët e komunave të tjera që furnizohen nga ky ujësjellës, që të mos kenë dyshime në cilësinë e ujit.
“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.

“Informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit janë shqetësim i lokalizuar në vete dhe, siç dihet, të gjithë mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje, në shërbim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve”, tha përmes një komunikate për media ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.
Qytetarëve të Deçanit u është bërë apel më herët që të mos e përdorin ujin e ujësjellësit për pije, derisa rezultatet e testimeve mikrobiologjike të përcaktojnë nëse uji është i sigurt.

He*lmimi masiv në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente.
Gjatë ditës së martë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që kanë vizituar pacientët e shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë bërë thirrje për he*tim sa më të shpejtë të këtij rasti.
Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se kanë nisur he*timet për zbardhjen e rastit.

Drejtori i Shëndetësisë në Deçan, Musa Berisha, tha se fluksi i pacientëve me simptoma të he*lmimit, ka vazhduar të jetë i madh mbrëmë dhe sot.
“Gjatë gjithë natës ka pasur fluks jashtëzakonisht të madh. Fatkeqësisht, edhe gjeografia e terrenit ka ndryshuar prej dje dhe nuk bëhet fjalë vetëm për 11 fshatra, por edhe fshatra të tjerë përreth”, tha Berisha.

Sipas të dhënave zyrtare, shqetësime për shëndetin kanë shfaqur banorët e fshatrave: Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i Ri.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë në Deçan, nga dita e shtunë e deri më sot, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë rreth 1,000 persona, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të he*lmimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre janë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.
Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet në laborator duhet të vazhdojnë dhe shkaku i saktë i këtij he*lmimi nuk është përcaktuar ende.