Kosovë: Shumica e komunave në balotazh

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Lipjan dhe Pejë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan dhe Suharekë.
Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Në balotazh do të shkojnë këto komuna: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (Partia Socialdemorate -LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitia (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës –KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kllokoti (Lista Serbe- Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtimja (PDK-LVV) dhe Rahoveci (AAK-LVV), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV, Fushë Kosova (LDK-LVV), si dhe Kaçaniku (PDK-LVV).

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, në një bisedë duke komentuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, kanë thënë se partia që udhëheqë me pushtetin qendror, Lëvizja Vetëvendosje ka shpresuar që të ketë fuqizim të saj edhe në nivelin lokal, por kjo nuk ndodhi. Sipas tij, rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale janë “një zgjim brutal nga realiteti” përballë fitores që Lëvizja Vetëvendosje e kishte arritur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ku fitoi mbi 50 për qind të votave. Pasojë, siç thotë është mungesa e investimeve në resurset njerëzore dhe kandidaturat për kryetarë të komunave.

“Ka pasur një shkëputje të madhe në mes të zhvillimeve dinamike brenda komunave dhe kandidaturave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe për këtë arsye ka ndikuar, që partia që e dominon skenën politike në Kuvend dhe Qeveri, të mos e ketë rezultatin e pritur” tha Muhaxhiri.