Kosovë/Qeveria prezanton masat e reja, ndër to shtyrja e pagesave të kredive dhe tatimeve

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, bëri të ditur së kanë ndërmarrë një mori masash që pritet të implementohen ditëve në vijim, për të përballuar më lehtë gjendjen e krijuar nga pandemia globale e koronavirusit.

Hoti në një konferencë për media pas takimit me Odën Ekononime të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës, Aleancën Kosovare të Biznesit dhe Shoqatën e Mullistëve të Kosovës tha se në dakordim me kryeministrin Albin Kurti, kanë ndërmarrë disa masa që pritet t’i paraqiten qeverisë për miratim.

Ndër masat e prezantuara nga Hoti janë; nxjerrja e udhëzuesit të qartë se si të lejohen mallrat të hyjnë në Kosovë, të behet inventarizimi i të gjitha rezervave shtetërore si dhe të përgatitet plani për këto rezerva për tre muajt e ardhshëm duke përfshirë këtu buxhetin përkatës edhe kufizimet e blerjes nga ana e konsumatorëve.

Lidhur me kërkesat e paraqitura nga institucionet ekonomike në vend, ajo për shtyrjen e deklarimit të obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare të bizneseve dhe organizatave të ndryshme si dhe prolongimin e pagesës së kredive, u morr vendim që të shtyhen deri me datën 30 prill.

Hoti gjithashtu theksoi se deri me këtë datë shtyhen edhe pagesat për të gjitha shërbimet publike, përfshi ujin, energjinë elektrike ngrohjen dhe mbledhjen e mbeturinave.

Gjithashtu u tha se do të ketë edhe disa sqarime shtesë lidhur me transportin dhe lejen për pushim nga puna për njërin prind.

Hoti porositi të gjithë qytetarët për kujdes dhe të mos ketë panik.

“Jeta duhet të vazhdojë tutje, por duke i zbatuar strikt udhëzimet e dhëna nga profesionistët shëndetësorë”.