Familjarët e të burgosurve do të kenë mundësi që t’i vizitojnë ata nga 24 gushti. Kështu ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes një komunikate për media. Nga kjo datë, do të lejohen edhe vizitat e avokatëve vetëm për personat e paraburgosur.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës nga 24 gushti do të do fillojë me lejimin e vizitave familjare për të burgosurit. Si masë lehtësuese, për vizitë familjare do të fillojmë me pranimin e vetëm një (1) anëtari të ngushtë të familjes. Po ashtu, sipas procedurave do të fillohet edhe me vizita të lira në lokale të veçanta. Nga kjo datë, SHKK do të lejojë edhe vizitën e avokatëve vetëm për personat e paraburgosur. Gjatë vizitës së tyre, avokatët janë të obliguar të kenë me vete ID kartelë valide”, thuhet në komunikatën për media nga SHKK.
Po ashtu gjatë vizitës, secili familjar apo avokat është i obliguar që të dezinfektohet në hyrje të institucioneve korrektuese si dhe të bartë maskë mbrojtëse. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve.