Kosovë/MSh jep detaje për vdekjen 63-vjeçares nga koronavirusi, nga Infektiva lirohen 5 pacientë


Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Klinikën Infektive ka vdekur një 63 vjeçare e infektuar me koronavirus

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka treguar se gruaja e cila ka vdekur si pasojë Coronavirusit, ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Sipas njoftimit të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit një grua nga Komuna e Dragashit e lindur me 1957 ka ndërruar jetë dhe ishte e diagnostikuar me Coronavirus. Krahas kësaj ajo kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese të sistemit veshkor”, tha Hoti.

Hoti ka thënë se në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 12 raste me Coronavirus, ndërsa nëntë raste janë në gjendje stabile dhe dy raste të tjera në oksigjenoterapi.

“Në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 12 raste të cilat janë të diagnostikuara me Coronavirus, 9 raste janë në gjendje stabile dhe dy raste të tjera janë në oksigjenoterapi, ndërsa një rast është në përkujdesje intensive dhe me ventilim mekanik” .

Ai më teh ka shtuar se gjatë së enjtes janë pesë pacientë të shëruar nga infeksioni me Coronavirus, raportonEO

“Ndërsa 5 pacientë do të lirohen sot nga Klinika Infektive, janë dy raste që duhet të testohen, mirëpo kjo nuk mund të jetë definitive sepse gjatë ditës nëse ka pacient që nuk kanë manifestuar që janë në vetizolim dhe nëse ka nevojë për ndihmë mjekësore mund të shtrihet ne këtë klinik”./Ekonomia Online