Kosovë, mbi një mijë gjoba për mosrespektim të masave kundër pandemisë

Në periudhën e fundit në Kosovë është regjistruar një numër rekord i të infektuarve me koronavirusin e ri, si dhe një numër në rritje i vdekjeve si pasojë e sëmundjes COVID-19.
Nga 27 korriku deri më 3 gusht, janë regjistruar mbi 1.500 raste të reja të të infektuarve dhe rreth 50 vik*tima.
Kryeinspektori sanitar në Kosovë, Ibrahim Tershnjaku, tha për Radion Evropa e Lirë se në shtatë ditët e fundit, Inspektorati Sanitar, ka kryer mbi 2,000 kontrolle në të gjithë territorin e Kosovës dhe me atë rast janë shqiptuar 923 gjoba për individë, 80 për persona juridikë, si dhe certifikata e izolimit të detyrueshëm u është dorëzuar 756 personave.

Ai thotë se inspektorët, të mbështetur edhe nga Policia e Kosovës, janë në patrullime çdo ditë nga ora 05:00 deri në mesnatë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, thotë se është e qartë se çdo ditë po regjistrohet një numër i lartë i të infektuarve, dhe këtë situatë ai e ndërlidh me faktin e mosrespektimit të masave nga ana e të rinjëve.

“Ekipet e inspektimit dhe policisë kanë shqiptuar një numër të madh gjobash për qytetarët ditët e fundit për mosrespektimin e masave. Të gjithë jemi përgjegjës për situatën epidemiologjike në vend, institucionet, bizneser dhe vetë qytetarët ”, tha Hoti në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Pakoja e fundit e masave që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 28 korrik, dhe parashikon lëvizje të kufizuar të qytetarëve nga ora 10:30 deri 05:00 në disa komuna që kanë një numër të lartë të personave të infektuar.
Një nga masat është mbajtja e detyrueshme e maskës.
Zbatimi i masave në Kosovë monitorohet nga inspektorët sanitarë me ndihmën e Policisë së Kosovës.