Kosovë, Kurti pret heqjen e vizave para 7 majit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për gazetën konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan për arritjen e një marrëveshjeje për paqe me Serbinë. Në rast se Serbia nuk e respekton vullnetin e mirë të qeverisë kosovare për heqjen e barrierave ekonomike, tregtare dhe politike dhe rrjedhimisht nëse e vazhdon fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës dhe po ashtu nëse nuk i heq barrierat ekzistuese tregtare, atëherë “ne më 1 prill do të nisim zbatimin hap pas hapi të parimit të reciprocitetit, së pari në tregti, pastaj edhe në ekonomi dhe në politikë”.

Pastaj, premton Kurti, “ne do të përqendrohemi në synimet tona parësore të politikës së brendshme, të cilat janë qenësore për jetën e njerëzve: vende të punës dhe sundim të ligjit. Për të arritur këtë, do të luftojmë me të gjitha mjetet korrupsionin dhe kështu, do të kujdesemi për zhvillimin ekonomik të vendit tonë” – shkruan mes tjerash kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai shpreson se Bashkimi Europian para Samitit të Zagrebit më 7 maj të heqë vizat për qytetarët e Kosovës.