Kosovë: Këtë javë mund të rishqyrtohet vendimi për tre dozat e vaksinimit në pikat kufitare


Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që kërkon nga qytetarët që duan të hyjnë në shtet të paraqesin dëshminë e vaksinimit kundër koronavirusit me tri doza ose dy doza plus testin RT-PCR jo më të vjetër se 48 orë, është e mundur të rishqyrtohet këtë javë, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Sipas Ministrisë përkatëse në faqen zyrtare në Facebook, ndryshimi i mundshëm i vendimit, i cili është në fuqi nga e shtuna – 22 janar, do të varet nga zhvillimi i situatës epidemiologjike dhe numri i rasteve të reja me Covid-19, përcjell Alsat.

“Të gjitha masat e marra kanë qenë rezultat i analizave të rregullta të situatës epidemiologjike, konsultimeve me ekspertë shëndetësorë dhe Komisionin Këshillimor për Covid-19, të cilat trajtohen nga Komiteti Koordinues për Covid-19, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse për pandeminë”, thonë nga ministria.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ashpërsimin e masave kundër COVID-19, veçanërisht obligimi për të konfirmuar pranimin e tri vaksinave për të hyrë në vend, ngjalli reagime, si në vendin tonë ashtu edhe në vendet fqinje.

Kërkesë për ndryshimin e vendimit, përkatësisht kthimin e masave të mëparshëm për paraqitjen e dëshmive të dy vaksinave, ndër të tjera kanë adresuar edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, si dhe Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë Bekim Sali, i cili bëri të ditur se kërkesa i është përcjellë homologut të tij kosovar Rifat Latifi, me të cilin pati një bisedë telefonike.

Zëvendëskryeministri Grubi në një prononcim për portalin e Prishtinës “Indexonline” është shprehur i befasuar me vendimin, duke theksuar se “gjendja shëndetësore është e njëjtë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe vendet perëndimore janë duke marrë në konsideratë heqjen e kufizimeve”.

“Shpresoj që Qeveria e Kosovës këtë javë ta rishikojë këtë vendim dhe t’i kthejë masat e mëparshme”, ka thënë Grubi.

Për vendosjen e masave të reja, qeveria i referohet situatës së fundit epidemiologjike, pas shtimit të rasteve me Covid-19. Edhe pse sipas Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata konsiderohet stabile, thuhet se rreziku mbetet, për shkak të dominimit të variantit Omicron.

Ditët e fundit ka një rritje të theksuar të numrit ditor të të infektuarve në Kosovë, kështu që vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 2243 raste të reja, pra mbi 25 për qind e të testuarve.