Policia e Kosovës ka arrestuar sot disa persona, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda nën udhëheqjen e Prokurorit Special të Prokurorisë Speciale të RKS-së, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, sot më 23.11.2018, pas hetimeve disa mujore dhe me urdhëresë të gjykatës, ka kryer kontrolle në katër lokacione në qytetin e Mitrovicës-Veri.
“Në këtë operacion janë arrestuar katër persona, tre prej tyre që dyshohen se janë të përfshirë në veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, kurse një person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e Policisë.