Kosovë – Ish-kryeinspektori paralajmëron: “Çmimi i një litër vaji do të jetë 5 euro”

Ish-kryeinspektori në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, ka folur për situatën e ngritjes së çmimeve në tregun kosovar, duke thënë se Qeveria është vonuar shumë në marrjen e veprimeve për të ndaluar rritjen.
Syla tha se zgjidhja më e mirë për zgjidhjen e situatës është krijimi një task-force.

“Të krijohet një task-forcë për të bërë inspektime se kush po i rrit çmimet, të shkojë tek të gjitha bizneset apo tek importuesit më të mëdhenjë, që të marrin të gjitha dokumentacionet se me çfarë çmimi e ka sjellë atë produkt, dhe me çfarë çmimi po e shet”, tha Syla në të Klan Kosova.

“As nga Ukraina e as nga Rusia nuk kemi marrë produkte ose lëndë të parë që të ngriten çmimet siç po ngriten sot”, u shpreh tutje Syla. “Unë besoj se bizneset janë të lidhur me shtetin, dhe për këtë po rriten çmimet”.
Tutje Syla kritikoi Ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin, për të cilën tha se nuk i kupton gjërat.

“Ajo nuk është profesionale, nuk i din këto gjëra. Nuk mundet me e akuzu asnjë agjencion sepse politikat i bën ministrja, nuk i bëjnë krye-shefat”, tha Syla.
“Është e paimagjinueshme që sot të jetë një litër 3,43 euro. Në këto kohë me u rrit çmimi prej 1,89 euro në 3,49 euro për 3 ditë, unë e them me bindje të plotë se brenda 3 apo 4 ditësh, eventualisht 5 ditësh, çmimi i një litër vaji do të jetë 5 euro”, paralajmëroi ish-kryeinspektori.