Në Kosovë tashmë ka na nisur procesi i vaksinimit masiv kundër COVID-19.
Lajmin e konfirmoi Orgesa Arifi, këshilltare për marrëdhënie me publike e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Po ka nisur vaksinimi masiv në të gjitha komunat e Kosovës”, tha Arifi.
Ndryshe, u tha se vaksinimi masiv i qytetarëve do të bëhet bazuar në Planin e Veprimit për vaksinimin në masë të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19.
MSH kërkon nga qytetarët që të mos shkojnë në qendrat e vaksinimit pa konfirmim, por të presin thirrjen për termin. Thirrja do t’iu bëhet përmes telefonit, mesazhit telefonik ose përmes emailit.
Ndryshe, rreth 20 qytetarë ishin brenda palestrës sportive “1 Tetori”, të cilët po prisnin ta merrnin vaksinën.
Megjithëse përgjegjësit e kësaj qendre të vaksinimit nuk pranuan të flasin për media, duket se ky proces ka nisur me një organizim të mirë.
Nga ajo që u pa jashtë sallës, Policia e Kosovës është duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e procesit.
Edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë parë duke hyrë në këtë qendër për të marrë vaksinën anti-COVID.
Lidhur me vaksinimin masiv mbrëmë ka shkruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ministri ka njoftuar se institucionet janë në momentet përfundimtare të parapërgatitjeve për nisjen e vaksinimit masiv në të gjithë vendin.