Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se tarifat e reja që u miratuan sot do të hyjnë në fuqi nga nesër dhe se do të aplikohen deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
Me miratimin e këtyre tarifave, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh energji do të përballen me shtrenjtim të energjisë.
Këta konsumatorë do të duhet të paguajnë 5.9 centë për tarifën e ultë dhe 12.52 centë për tarifën e lartë. Ata që do të shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kWH nuk do të faturohen me çmimin e ri, derisa ata që e kalojnë 800 kWh, me çmimin e ri do t’iu llogaritet vetëm sasia e harxhuar mbi këtë vlerë.
“Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”, ka njoftuar ZRRE’ja.
Njoftimi i plotë:
Seanca e katërt (IV) e Bordit të ZRRE
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka mbajtur sot seancën e tij të IV-të me radhë për këtë vit.
Në këtë seancë janë aprovuar tarifat e energjisë elektrike për vitin tarifor 2022, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT); Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO).
Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar.
Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.