Kosovë/36 pacientë me koronavirus të shtrirë në Infektivë: 5 …

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 140 raste të infektuara me pandeminë Covid-19, derisa 23 prej tyre janë shëruar dhe një ka vdekur.

Janë 36 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, ku pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa tre po trajtohen në kujdesin intensiv.

Të gjithë të tjerët ndodhën në vet izolim në shtëpitë e tyre.

Infektologu Valbon Krasniqi njoftoi se gjatë ditës priten rezultatet edhe për gjashtë të dyshuar me koronavirus. Derisa shton se fundi i javës së parë dhe java e dytë e muajit prill mund të jenë vendimtare. Për këtë sipas tij, varet se sa po respektohen masat nga ana e qytetarëve.

Krasniqi tregon për gjendjen e pacientëve në Klinikën Infektive, ndërkohë njofton se një pacient po vazhdon të qëndrojë i lidhur me aparatin respirator.

“Për momentin kemi 36 pacientë të shtrirë në Klinikë që janë të konfirmuar me korona virus-infeksion. Ndërkohë që kemi edhe gjashtë të tjerë që do të lirohen gjatë ditës, ata të cilët dje rezultuan negativ, për herë të dytë, dhe tash konsiderohen si të shëndoshë. Vlen të theksohet megjithatë se pesë pacientë nga këta që janë të shtrirë janë në gjendje më të rëndë, tre prej tyre janë në kujdes intensiv të klinikës sonë, dhe njëri prej tyre është i intobuar, i lidhur për aparatin respirator, ndërkohë që gjendja e pacientëve të tjerë paraqitet e mirë dhe është stabile”, thotë Krasniqi.

Ndër të tjera, ai thotë se gjatë ditës priten rezultatet edhe për gjashtë persona, të dyshuar me infeksion COVID-19, megjithatë sipas tij numri i tyre mund të ndryshojë gjatë ditës.

Infektologu Valbon Krasniqi thotë se aktualisht numri i të infektuarve në nivel vendi nuk është i madh, ai shpreson se do të vazhdojë kjo shkallë e ulët e përhapjes së pandemisë së vend. E, për këtë këshillon që të qytetarët të respektojnë rekomandimet dhe masat e marra nga institucionet.

“ E dimë që mbase është e vështirë për qytetarët të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, por unë ju them keni durim edhe pak, qëndroni në shtëpi, respektoni masat. Nuk mjafton vetëm të qëndroni në shtëpi, sepse ne e dimë që ju duhet të dilni të blini gjërat e nevojshme, vazhdoni të respektoni higjienën personale. Nëse ju nuk e takoni virusin në rrugë, nëse nuk e takoni një person me simptomat e gripit, dhe ju nëse nuk keni prekur gjëra të ambientit të kontaminuar, atëherë gjasat për të marrë infeksionin janë të vogla”, deklaron ai.