Kosovarja e ngujuar në Itali shpërthen ndaj Ambasadës atje: A nuk mësuat nga rastet që ndodhën, nuk duroj më

Një 22 vjeçare që vjen nga Komuna e Mitrovicës ka mbetur e ngujuar në Itali, derisa thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje lidhur me atë se kur mund të kthehet përsëri në Kosovë.

Erza Kusari përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook thotë se ka disa muaj që ka mbetur e vetme në Itali, e thotë se është në gjendje të rënduar, shëndetësore, emocionale e financiare.

Ajo thotë se ka tentuar me të gjitha format kontaktin me Ambasadën e Kosovës në Itali, te të cilët ka kërkuar të paktën informacion lidhur me mundësinë e kthimit në vend.

“Në thirrjen e djeshme, e funda për mua drejtuar këtij institucioni, personi i cili mu përgjigj kishte një ton cinik. Përgjigjej me zorr, duke përdorur edhe shprehje si: “ku po e din ti se ka fluturime?”, thotë ajo.

Kusari thotë se që nga fillimi i muajit mars është munduar që me mjete vetanake të kthehet në Kosovë, mirëpo, shton se iu është anuluar fluturimi dy herë.

“Këto thirrje patën filluar që nga fillimi i muajit mars, ku para se t’i thërras, jam munduar dy herë që me mjete vetanake e familjare të kthehem në Kosovë, por që në të dy rastet më është anuluar fluturimi, besoj s’është nevoja të flas fare për stresin e shkaktuar, ata që e kanë provuar humbjen e fluturimeve e dijnë më së miri, po flas duke e pasur parasysh se ndoshta të tjerët nuk e kanë pasur edhe një pengesë tjetër që unë pata, virusin. Kështu, së pari fillova t’u shkruaj, iu përshkrova gjithë situatën time që nga arsyeja e ardhjes sime këtu e deri tek gjendja ime e rënduar emocionale dhe financiare”, shton e njejta, teksa shpjegon për gjendjen e rënduar emocionale, financiare e shëndetësore.

“..Unë nuk di a ka rast më emergjent sesa të jesh në gjendje shumë të keqe emocionale dhe financiare?! Madje thuajse nuk mjaftuan këto kam pasur edhe komplikime shëndetësore, për të cilat pas shumë mundineve në gjendje të sëmurë, mezi kam marrë ndihmën e nevojshme. Por siç po shihet neglizhenca dhe mosinteresimi i tyre ndaj shtetasve kosovarë është i paskajshëm”, ka shkruar ajo.

22 vjecarja thotë se është duke e vuajtur izolimin e vetme në Itali.

“Të gjithë shtetasit janë tërhequr për në shtetet e tyre që nga fillimi i pandemisë, madje edhe shtetasit e Kosovës nëpër shtete tjera edhe më të largëta, deri në SHBA, e unë po e vuaj ende izolimin e vetmuar në Itali!

Me ndihmën e familjes dhe shoqërisë jam munduar ta marr veten, po çka nëse s’do ta kisha pasur as këtë mbështetje? A do duhej që tërë kjo situatë të përfundontë ndryshe? A nuk ka mësuar fare shteti im nga rastet e shumta që ndodhën brenda kufijve të tij”, ka shtuar Kusari, teksa ka bërë thirrje që për më shumë kujdesje për qytetarët e Kosovës që kanë mbetur jashtë kufijve./GazetaExpress/