Kosovarit i plotësohet dëshira: Dërgohet në trajtim, por nuk dëbohet nga Zvicra

Ai kishte numër të madh shkeljesh nga “katalogu” (lista e dënimeve për të cilat të huajt dëbohen nga Zvicra). Por megjithatë nuk u dëbua. Cila është arsyeja?

Në procesin gjyqësor ndaj dy kosovarëve, të cilët prej vitesh kishin kryer delikt në zonën e Oltenit, njëri prej tyre, 25-vjeçari Valon R. (emrat janë ndryshuar) mori dënimin që kishte dëshiruar, transmeton albinfo.ch. Ai kishte kërkuar terapi, por jo dëbim nga vendi.

Gjykata më e ulët i kishte shqiptuar atij pesë vite dëbim. Tani, të dy vendimet i janë miratuar edhe nga Gjykata e Lartë.

Por, ndryshon situata për bashkëpunëtorin e tij Blerim F, gjashtë vjet më i madh me moshë nga ai. Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi si dënimin me 15 muaj burg, ashtu edhe vendimin për dëbimin tetëvjeçar të tij nga Zvicra.

Gjykata e Qarkut të Olten-Gösgen i kishte shqiptuar atij më parë po ashtu këtë dënim.

Të dy kosovarët ishin akuzuar për gjithsej 71 vepra, si: grabitje, vjedhje, rrezikim jete, shtrëngim, kanosje, shkelje të ligjit për armëmbajtje dhe drogë, drejtimin e makinës pavarësisht se u ishte hequr patent shoferi etj., shkruan Solothurner Zeitung. Nga këto 71, vetëm shtatë duhej të sqaroheshin sërish përpara Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Lartë rrit dënimin me burg

Blerimi nuk ka kryer asnjë krim që do të përmbushte kriteret për dëbimin e të huajve nga vendi. Por për shkak se atij i ishte hequr tashmë leja e qëndrimit nga zyra e migracionit, Gjykata e Lartë i ka shqiptuar atij ​”dëbimin fakultativ”.

Në rastin e Valonit, gjykata ka shtuar dënimin me burg – 45 muaj në vend të 37,5. Ai kishte numër të madh shkeljesh nga “katalogu” (lista e dënimeve për të cilat të huajt dëbohen nga Zvicra), transmeton albinfo.ch. Por megjithatë nuk u dëbua nga vendi. Cila është arsyeja?

Gjykata e Lartë e sheh Valonin si person me çrregullim shumë serioz personaliteti – çrregullim personaliteti disocial. Kjo duhet të trajtohet, pa terapi ka rrezik për shkelje të mëtejshme, sipas gjyqtarëve. Ai është treguar i gatshëm të merrte terapi, gjithashtu sipas ekspertit.

Kryegjyqtari vë në dyshim cilësinë e terapisë që mund t`i ofrohej atij në Kosovë

Suksesi i një mase spitalore është dukshëm më i vogël nëse Valonin, pas vuajtjes së dënimit e pret dëbimi nga vendi. Është më e sigurt për shoqërinë në Zvicër që ta trajtojë atë këtu sesa nëse ai të kthehej në Zvicër nga Kosova i patrajtuar pas sa vitesh të dëbimit nga vendi.

Përveç kësaj, kryegjyqtari ka vënë në dyshim cilësinë e terapisë që mund t`i ofrohej atij në Kosovë. Sëmundja mendore është një vështirësi serioze personale. Ai ka theksuar më tutje se shumë nga deliktet e kryera nga dy të dënuarit, përfshirë grabitjen dhe vjedhjen, nuk ishin aspak krime të vogla, përcjell albinfo.ch. Por Valoni është duke përparuar mirë dhe ka lënë përshtypje të mirë në gjykatë.