Grabitjet e vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare janë bërë një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës, që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Një rast i tillë, por jo fort i zakontë ka ndodhur në një motel në Fushë Kosovë në fillim të muajit mars dhe tek tash janë arrestuar tre persona të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, tre të dyshuarit janë një 24-vjeçare dhe dy burra, që ranë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se e kanë planifikuar që ta grabisin një 42-vjeçar, të cilin fillimisht e çuan në motelin “Villa X”.
Bazuar në informacionet e para, fillimisht vajza e dyshuar e ka joshur viktimën, e më pas i njëjti është dërguar në motel, ku është sulmuar fizikisht e më pas ia kanë grabitur rreth 2 mijë euro para të gatshme dhe një telefon.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se në mesin e të arrestuarve është edhe një taksist, i cili iu ndihmoi dy të dyshuarve të tjerë që të largohen nga moteli pasi e grabitën viktimën.
Rasti kishte nisur të hetohet më 9 mars si vjedhje, por gjatë hetimeve janë zbuluar detajet dhe rrethanat e incidentit, ku si rezultat janë identifikuar të dyshuarit.
Tre personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit, ndërsa dy burrat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, kurse vajza e përfshirë në rast është lënë e lirë.