Kosovarët po ia shohin sherrin një udhëzimi administrativ të vitit 2019, ja për çka bëhet fjalë

Një udhëzim administrativ për regjistrimin e veturave i amandamentuar në vitin 2019, në kohën e qeverisë Haradinaj, obligon qytetarët e Kosovës që me rastin e ndërrimit të pronësisë së automjeteve të paguajnë taksa të dyfishta.
Regjistrimi i veturës bëhet njëherë në vit, mirëpo kjo pagesë nuk vlen në të gjitha rastet. Sidomos tek rastet e ndërrimit të pronësisë së automjetit, qytetarët obligohen që t’i paguajnë taksat sërish, pavarësisht pagesës së taksave paraprake në afat 1 vjeçar.

Çdo qytetar pasi e regjistron veturën me të gjitha procedurat e rregullta dhe pas 1 jave e shet veturën, blerësi obligohet prapë që t’i paguajë të gjitha taksat prej fillimit, përveç pjesës së sigurimit, prej së cilës pjesa e mbetur ose i kthehet pronarit aktual ose i bartet pronarit të ri.

Me rastin e regjistrimit të veturës, qytetarët paguajnë taksën rrugore prej 40 euro, taksën ekologjike – 10 euro, taksën komunale, dhe taksën për ndërrim të tabelave, po ashtu 40 euro. Në total, rreth 100 euro taksa.
Udhëzimi Administrativ për Regjistrimin e Automjeteve i hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, parasheh që këto taksa të paguhen edhe me rastin e ndërrimit të pronësisë së automjetit, pra të njëjtat nuk barten pavarësisht se kanë afat të vlefshmërisë prej 1 viti.

Neni 8 i Udhëzimit që ka të bëjë me ndërrimin e pronësisë kërkon decidivisht “Certifikatën mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se tridhjetë (30) ditë nga dita e lëshimit”.
E njëjta kërkohet edhe me rastin e vazhdimit të regjistrimit të automjetit. Kjo vlen për të gjitha taksat tjera të përfshira në tarifën e regjistrimit të automjetit.

Sipas Sami Mazrekut, Drejtor Ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimit, dëmi brenda vitit për qytetarët nga ky udhëzim është diku rreth 15 milionë euro. Sipas tij, duhet urgjentisht që të rregullohet bartja e pronësisë së automjeteve, pasi që qytetarët po obligohen të paguajnë të gjitha taksat sa herë bëjnë shit-blerje të veturave.

“Kërkojmë të rregullohet edhe bartja e pronësisë se automjeteve, pasi që në Kosovë rreth 95 mijë deri 100 mijë pronarë të automjeteve ia ndërrojnë pronësinë veturës brenda vitit”, thotë Mazreku.
Deri vonë ka qenë në fuqi edhe kushtëzimi për pagesën e taksës komunale me rastin e regjistrimit të veturës, por që është hequr nga Qeveria Kurti, përkatësisht Ministria e Financave.