Kosova vendos “vija të kuqe” edhe për Gjermaninë, banorët e këtij shteti s’mund të hyjnë në vend pa test PCR

Tash e tutje, as shtetasit e Gjermanisë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë pa e poseduar një test PCR-Negativ. Pas rritjes së rasteve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit, edhe ky shtet i është bashkuar listës së shteteve me rrezik të lartë infektimit.
Përveç Gjermanisë, kësaj liste i janë shtuar edhe tri shtete tjera, duke bërë kështu që numri i vendeve me rrezik të lartë të infektimit të shkojë në 24.

Bazuar në përditësimet e fundit, shtetet të cilat i konsideron Kosova me rrezik të lartë të infektimit, janë: Franca, Spanja, Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Çekia, Polonia, Rumania, Portugalia, Austria, Hungaria, Irlanda, Sllovakia, Danimarka, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Luksemburgu, Malta, Islanda, Qiproja dhe Lihtenshtajni.

Të gjitha këto shtete kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë, gjë që i bën të jenë pjesë e listës së shteteve me rrezik të lartë.
Ndërkohë, shtetet, banorët e së cilave lejohen të hyjnë në vend pa e poseduar një test të tillë janë: Suedia, Greqia, Norvegjia, Finlanda, Latvia dhe Estonia.

E për mënyrën se si vendoset që një shtet ka rrezik të lartë të infektimit, ka dhënë detaje Ministria e Shëndetësisë.
Ky institucion ka deklaruar se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në web-faqen e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo që përditësohet vazhdimisht.
“Lista është e publikuar në web-faqen e ECDC dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”, ka deklaruar Ministria.