Kosova vendi i vetëm në Evropë pa gazeta të shtypura

Që nga viti i kaluar në Kosovë janë zhd*ukur gazetat e shtypura, duke e bërë Kosovën vendin e vetëm në rajon dhe Evropë pa ndonjë gazetë të shtypur, revistë javore apo mujore.
Ramadan Berisha nga Prishtina, 71 vjeçare, thotë për Albanian Post se ka qenë lexues i rregullt i gazetave të shtypura, duke filluar qysh nga gazetat e para që shtypeshin në Kosovë.
Ai është shprehur se edhe të kuptuarit është më i lehtë përmes gazetave, se sa përmes mediave të reja digjitale.

“Ngjarja gjithmonë është përjetuar ndryshe me gazetën, ka ditur të ngjallë emocion, pasi në fletë ndryshe përjetohet rrëfimi apo ngjarja”.
Ndryshe thotë, Era Krasniqi, 20 vjeçare, e cila konsideron që informimi në ditët e sotme është shumë më i lehtë.
“Është shumë më lehtë përmes teknologjisë së avancuar të marrim informacione, është më lehtë se sa të presim deri sa gazeta të botohet në mëngjes që të kemi informacione për një ngjarje”, thotë Krasniqi.

Por thotë se “Për gazetat e kam parë gjyshin duke lexuar, por tashmë as ai nuk i lexon”.
Ndërkaq, publicisti Halil Matoshi, ka thënë për Albanian Post se derisa me 2010 në Kosovë shtypeshin nëntë gazeta ditore, njëmbëdhjetë vjet pas nuk shtypet më asnjëra.
Por, sipas tij ka arsye të mjaftueshme se pse nuk kemi gazeta në Kosovë.

“Arsyet pse në Kosovë nuk ka asnjë gazetë të shtypur, sado që na duken të natyrës ekonomike (tirazhi shumë i vogël, vetëm rreth 2500- 3000 kopje të gjitha bashkë, në nivel kombëtar) janë edhe profesionale: Së pari, botuesit nuk arritën gjithherë t’ia përshtatin përmbajtjen publikut; së dyti, shkalla e ultë e njerëzve që lexojnë në vend dhe së treti, një sistem i keq i shpërndarjes!”, thotë ai.

Matoshi thekson se “shfaqja e gazetave online dhe rrjeteve sociale i dha shtypit goditjen për vdekje”.
Mirëpo, shkaku i mungesës së gazetave, ai potencon shumë herë që nuk dimë të dallojmë lajmet e rreme nga ato të vërtetat.
“Konsideroj megjithatë se Kosova ka nevojë për një gazetë klasike ditore, duke i dhënë hapësirë gazetarisë hulumtuese, analizave kredibile, intervistave e kolumneve të profilit të lartë si dhe artit e kulturës”.

Në anën tjetër, profesori universitar në Fakultetin e Filologjisë, Bardh Rugova thotë për Albanian Post se ka kohë që paralajmërohet shuarja e gazetës tradicionale.
“Derisa, gazeta mund të ketë vd*ekur në Kosovë duhet përpjekje që të mos vdes gazetaria. Na duhet, ajo gazetari e mbështetur në hulumtim dhe fakt, me të cilën jemi mburrur në fund të viteve ‘90 dhe fillim të viteve 2000”, thotë Rugova.

Ai shprehet se “Kosova ka qenë liderë e rajonit për gazetari të mirëfilltë, të pavarur dhe të ndershme. Natyrisht, si shumë vlera të tjera shoqërore, edhe kjo u rrënua ndër vite për interesa politike”.
Një nga gazetat që kishte qëndruar në treg për 20 vjet ishte e përditshmja “Zëri”.

Kjo gazetë kishte filluar të shtypet në vitin 2000, me një tirazh në mbi 7 mijë e 500 kopje në ditë, kurse botimin e ka ndërprerë më 14 mars të vitit të kaluar dhe funksionon në formën online.
Në vitin 2009, vetëm një vit pas shpalljes se pavarësisë, në Kosovë janë botuar tetë gazeta ditore, të gjitha në gjuhën shqipe.

Në një hulumtim të Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim Politikash (KIPRED), realizuar në vitin 2010, thuhet se tetë gazetat ditor (“Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Express”, “Epoka e Re”, “Bota Sot”, “Info Press”, “Zëri” dhe “Lajm”), kanë pasur tirazh mes 25 mijë dhe 35 mijë kopje.
Ky numër në atë kohë ishte vlerësuar tejet i ulët në krahasim me popullsinë e përgjithshme (2.1 milion banorë). Në atë kohë, tre në pesë njerëz lexonin një gazetë ditore.