Kosova u ndalon hyrjen dy personave “me elemente pro-ruse”

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës të shtunën ua ka ndaluar hyrjen në Kosovë dy personave të identifikuar si Dimitrije Markoviç dhe Nenad Jeremiç në Jarinjë, një prej pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Shtetësia e këtyre dy personave nuk është bërë e ditur.

Jeta Tela, shefe e kabinetit të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë për REL-in se vendimi për ndalimin e hyrjes, është bërë për shkak të aktivitetit të tyre kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Kosovës. Tela nuk ka ofruar më shumë detaje.

Në mbrëmjen e së shtunës, Qeveria e Kosovës, ka thënë se këta dy persona njihen për elemente pro-ruse, dhe se, “duke përdorur mbulesën e aktiviteteve humanitare, në vazhdimësi kanë përhapur propagandë kundër Kosovës, duke nxitur kështu urrejtje ndëretnike, me qëllim të dëmtimit të imazhit të vendit dhe paraqitjes jo të drejtë të gjendjes së komunitetit serb në Kosovë”. Mes tjerash në komunikatë është thënë se njëri prej të ndaluarve ka qenë anëtar i organizatës së ekstremit të djathtë “Fronti i Solidaritetit Evropian për Kosovën – ESFK”.

“Kjo organizatë promovon ndjenjat anti-perëndimore, ndërsa mbështet lidhjet e ngushta me Rusinë”. Sipas Qeverisë, më 2019, autoritetet e sigurisë së Kosovës kanë ndaluar tetë anëtarë të kësaj organizate, të cilët “kishin planifikuar ngritjen e një droni mbi stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’.

Mes tjerash është thënë edhe se Markoviq njihet për “raporte të afërta me zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, respektivisht me ish-kreun e kësaj zyre, Andrei Lisovoi”. Më 7 gusht të këtij viti, autoritetet e Kosovës kanë shpallur person të padëshiruar gazetaren ruse, Daria Aslamova dhe ia kanë ndaluar hyrjen në Kosovë për pesë vjet, pas arrestimit të veri të vendit për disa orë. Ministri Sveçla pati thënë se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares”.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, pati thënë Sveçla në një postim në Facebook.

Raportet Kosovë – Rusi
Rusia ka formalizuar praninë e saj diplomatike në Kosovë tre vjet para shpalljes së pavarësisë, në vitin 2005. Asokohe, për hapjen e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë ka qëndruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Kosova atë kohë është administruar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe kryeadministrator ka qenë Soren Jessen-Petersen, i cili së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Bajram Kosumi, kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes.

Pjesëmarrja e Kosumit në këtë aktivitet njihet si vizita e vetme e një zyrtari të Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë. Veprimtaria e Zyrës Ndërlidhëse Ruse është e shfaqur fare pak në publik. Më 22 tetor të vitit të kaluar, institucionet e Kosovës kanë shpallur persona “non-grata” apo të padëshirueshëm dy diplomatë rusë që kanë punuar në këtë zyrë. Ata janë detyruar të largohen nga Kosova.

Më 31 dhjetor të vitit 2021, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka shpallur non grata (të padëshiruar) edhe një zyrtar rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Sipas njoftimit të ministres, vendimin e ka marrë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“[Vendimi është marrë] për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftim./REL