Kosova po përballet me një nga valët më të mëdha të su*lmeve kibernetike

Kosova po përballet me su*lmet më madhore kibernetike në histori. Cak i hakerëve janë institucione, kompani e individë që po u hakohen llogaritë. Sipas njohësit të sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, ky organizim është mjaft serioz, pasi po përdoren metoda të kombinuara të hakimeve. Sipas tij, qëllimi kryesor është qasja në sistemin e komunikimit dhe të dhënat e kompanive e personave fizikë.

Së fundmi, në fokus kanë qenë edhe mediat e gazetarët. Doli thotë se ka vërejtur formën “Malware” të su*lmeve kibernetike, apo shpërndarjes së virusëve përmes e-maileve. Rreth një muaj më parë, një virus ishte shpërndarë brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por sipas Kastriot Fetahajt, pre e su*lmeve kibernetike kanë rënë edhe shumë institucione tjera publike e private.

Ai tregoi se thuajse janë prekur të gjitha universitetet publike dhe private, teksa llogaritë e rreth 50 profesorëve janë hakuar. Gjithashtu, sipas Fetahajt, janë shpërndarë edhe të dhënat bankare të qytetarëve.
Fetahaj tregon se të dhënat e hakuara po shiten në treg të zi, me çmime shumë të lira, rreth 100 dollarë.

Dyshohet se su*lmet e fundit janë orkestruar nga një grup brenda Kosovës, në bashkëpunim me një tjetër të huaj që ende nuk po i dihet origjina. Pasojat e këtyre mund të jenë të rënda, pasi mund ta kolapsojë sistemin e komunikimit të kompanive. Siguria kibernetike është aktualisht problem global, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, që është koncentruar edhe në këtë fushë.