Kosova po e lufton koronavirusin me vetëm 22 epidemiologë

Përveç sitemit të dobët të shëndetësisë, Kosova po përballet edhe me mungesë të profesionistëve të fushës për ta luftuar koronavirusin.

Në Kosovë janë vetëm 22 epidemiologë, të cilët mbulojnë gjitha komunat në këtë kohë kur koronavirusi po kërcënon çdo ditë e më shumë vendin tonë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka thënë se ky numër i epidemiologëve është ekstremisht i lartë dhe për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiten edhe 17 specialistë.

“Në IKSHPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (duke përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti).Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo qendër rajonale nga 2 specializantë)”, ka thënë IKSHPK-ja.

Pavarësisht mungesës, IKSHPK-ja thotë se deri tani nuk ka ngecje në procesin e punës falë gatishmërisë së epidemiologëve për të punuar në këtë kohë pandemie. “Aktualisht me 362 raste, 4.795 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe me hyrjet në pikat kufitare numri i epidemiologëve që ka vendi është ekstremisht i ultë. Deri tani nuk ka ngecur asnjë proces pune me kaq profesionistë sa kemi, falë gatishmërisë së tyre për të punuar pa ndalur”.

Në Qendrën Operative Emergjente punojnë 10 epidemiologë. Ata mbulojnë gjithë territorin e vendit së bashku me epidemiologët e rajoneve.

Puna e epidemiologëve konsiston në: hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e hyrjeve në pikat hyrëse kufitare; mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin – përpunimin dhe analizën- interpretimin e të dhënave; komunikimin me popullatën me rekomandime e me këshilla./“Zëri.info”