Kosova në heshtje pas kërkesës për transferim të Grupit të Kumanovës

Heshtje tek autoritetet e Kosovës lidhur me kërkesën e disa të dënuarve nga Grupi i Kumanovës për transferim në Kosovë. Një javë pas kërkesës së Andi Krasniqit i njohur si Komandant Malisheva, Demë Shehut dhe Lirim Krasniqit, ministria e Jashtme e Kosovës, përkundër pyetjeve të Televizionit Alsat, nuk janë përgjigjur nëse e kanë pranuar kërkesën për transferim, nëse janë të gatshëm të pranojnë akuzën dhe vendimin gjyqësor dhe kanë nisur ose jo procedurën për transferimin e shtetasve të saj, të dënuar me burg të përjetshëm dhe masa drakonike për shkak të përleshjes së armatosur të 9 dhe 10 majit 2015 në Kumanovë.

Deri në këto momente Alsat, nuk ka marr asnjë përgjigje as nga Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Nga ky dikaster nuk njoftojnë nëse ka nisur procedura për transferim dhe cila është gatishmëria e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar marrëveshjen dypalëshe për transferimin e personave të dënuar të nënshkruar mes dy Qeverive në vitin 2012.
Jo zyrtarisht mësohet se edhe të dënuar të tjerë do të kërkojnë masën e transferimit, por akoma nuk dihet nëse janë vënë në kontakt zyrtarisht me avokatët mbrojtës dhe zyrat e përfaqësimit ligjor.

Procedura për transferim në Kosovë nis me kërkesë individuale të të burgosurit, përmes avokatit mbrojtës deri tek Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit kërkon nga policia të di nëse i dënuari që kërkon transferim gëzon shtetësi vendase ose jo. Më pas njoftohet Ministria e Jashtme.
Resori për politikë të jashtme vë kontakte me diplomacinë në Kosovë nga ku duhet arritur pajtimi për zbatimin e marrëveshjes bilaterale për transferimin e të burgosurve e nënshkruar mes dy Qeverive e nënshkruar në vitin 2012.

Drejtësia më pas i adresohet Gjykatës Penale nga e cila kërkon dokumentacionin e plotë dhe më pas të njëjtin e dorëzon tek autoritetet Kosovare. Në rast se Kosova në këtë rast njeh akuzën dhe vendimin gjyqësor me të cilin ngarkohet shtetasi i saj, mund të fillon procedura për transferim. Në rast se nuk pranohet akuza dhe vendimi, procedura bie poshtë.
Për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, Gjykata Penale në vitin 2017 dënoi 37 persona me 746 vite burg, 7 prej tyre me burg të përjetshëm./Alsat.mk