Kosova ndalon eksportin e produkteve të drurit


Qeveria e Kosovës ka ndaluar eksportin dhe ri-eksportin e produkteve të drurit si lëndë djegëse.

“Ky ndalim është i përkohshëm dhe në përputhje me Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK) të vitit 2022”, u tha në njoftimin e Qeverisë, pas mbledhjes elektronike të mbajtur më 20 shtator. Në mbledhje, ekzekutivi kosovar po ashtu ka ndarë 19 milionë euro në kuadër të pakos për tejkalimin e krizës energjetike. Këto para do të përdoren për subvencionimin e faturat të rrymës për konsumatorët që kursejnë energjinë elektrike.

Po ashtu, 6 milionë të tjera janë ndarë për “subvencionimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë”, bëri të ditur Qeveria e Kosovës. Më herët gjatë të martës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, paralajmëroi se ekzekutivi do të merrte masa të reja për ndihmë në tejkalimin e krizës, në mesin e tyre edhe për ndalimin e eksportit të peletit, pasi në treg ka mungesë të këtij produkti.

Rizvanolli i bëri këto komente pas një vizite në Termocentralin Kosova B, prej ku bëri thirrje që qytetarët dhe bizneset duhet të kursejnë energjinë elektrike dhe të gjejnë alternativa për ngrohje gjatë dimrit, me qëllim që të minimizohet nevoja për reduktimet e energjisë elektrike. Rizvanolli se stina e dimrit do të jetë e vështirë sa i përket furnizimit me energji, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë Evropën.

Sipas saj, edhe shtetet më të zhvilluara sikurse Gjermania dhe Zvicra po përgatiten për reduktime të energjisë gjatë dimrit, për shkak të krizës energjetike, që sipas saj është rënduar nga ndërprerjet e furnizimeve me energji ruse për Evropën, pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Sigurisht, shpresojmë që masat që do t’i ndërmarrë Komisioni Evropian do të ndikojnë në zbutjen e krizës në Evropë, që do të ndikojë edhe te ne. Tani për tani është vështirë të thuhet. Çfarë dihet sigurt në rastin tonë është se ne edhe në rastin më të mirë të kapaciteteve tona gjeneruese dallim është deri në 500 megavat, pra dallim në mes të prodhimit dhe kërkesës, që cila duhet të importohet”, tha Rizvanolli. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të gjejnë forma alternative për ngrohje gjatë stinës së dimrit, me qëllim që të ulet konsumi i energjisë elektrike.

“Është në dorën e secilit prej nesh që të bëjmë diçka për këtë, ne si institucione jemi duke e bërë maksimumin. Nëse ne të gjithë e bëjmë maksimumin, nëse jo rasti më i mirë i furnizimit të rregullt, atëherë sigurisht që nevoja për reduktime do të minimizohet”, tha Rizvanolli.

Kur u pyet nëse reduktimet e energjisë do të jenë të pashmangshme gjatë dimrit, ministrja Rizvanolli tha se shoqëria kosovare duhet të diskutojë se sa është e gatshme të paguajë për importin e energjisë, teksa përmendi se së fundmi, shtetet e rajonit po blejnë 1 megavat energji për 1.000 euro.

“Në bazë të çmimeve të tregut që kemi parë deri në javën e kaluar, do të jetë shumë vështirë për ne dhe mendoj që ne si shoqëri duhet të kemi një diskutim për këtë çështje: cili është çmimi i energjisë që ne jemi të gatshëm të paguajmë si shoqëri? Sepse nëse nuk e paguan konsumatori në faturë, do ta paguajë taksapaguesi përmes buxhetit të shtetit”, tha ajo.

Rizvanolli tha se edhe dimri i vitit 2021 ishte i vështirë. Atëbotë, Kosova u përball me reduktime dhe Qeveria tha se çmimet e importit të rrymës ishin të shtrenjta. Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, Kosova më 2021 ka importuar 1.311.461 megavat rrymë. Çmimi mesatar i importit të rrymës me kontrata komerciale gjatë vitit 2021 ka qenë 119.29 euro për megavat. Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.