Kosova më e varfëra në rajon! Shiko listën…


Në rajon, sipas renditjes, Kosova dhe Shqipëria janë më të varfrat në rajon, duke u radhitur në vendet 105 dhe 90, respektivisht. Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse, ndërsa renditet në vend të 69-të në botë me 24.878 dollarë. Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditur në vend të 72 dhe 78 respektivisht

Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”. Sipas këtyre të dhënave, për vitin 2022 Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë në 17,383 dollarë.

Matja e vendeve të pasura dhe të varfra bëhet referuar PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Produkti i brendshëm bruto është i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse. Kjo matje bëhet pasi nëse do të merrnim parasysh vetëm produktin e brendshëm bruto të një vendi gjatë një viti, atëherë do na duhet të konkludojmë se kombet më të pasura janë pikërisht ato me GDP-në më të lartë si Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia apo Gjermania. Kështu, për të patur të dhëna më të sakta sa i përket vendeve më të pasura dhe atyre më të varfëra, sipas Global Finance, është e preferueshme që vendet të jenë edhe egalitare, pra të barabarta ekonomikisht.