Kosova me çmimin më të ulët të energjisë në Ballkan, Gjermania më e shtrenjta në BE

Të dhënat e Zyrës Evropiane të Statistikave EUROSTAT tregojnë se çmimi mesatar i një kilovati për orë energji elektrike në vendet e Ballkanit Perëndimor është 0.0954 euro.

Kosova, Shqipëria dhe Serbia janë tri vendet me çmimin më të ulët të energjisë elektrike për amvisëritë, ndërsa Kroacia dhe Greqia janë vendet që paguajnë çmimin më të shtrenjtë të energjisë.

Në Kosovë, një kilovat kushton 0.0608 euro, ndjekur nga Serbia me 0.0737 euro dhe Shqipëria me 0.0778 euro.

Qytetarët e Malit të Zi një kilovat e paguajnë me 0.0807 euro, ndërsa në Maqedoni të Veriut paguhet me 0.0833 euro. Boshnjakët e paguajnë një kilovat 0.0901 euro, ndërsa bullgarët 0.0982 euro.

Në Bashkimin Evropian, Gjermania është vendi që ka çmimin më të lartë me 0.3006 euro për kilovat, pasuar nga Danimarka me 0.2819 euro dhe Belgjika me 0.2702 euro. Çmimi më i ulët i energjisë elektrike në kontinet është në Ukrainë me 0.0396 euro për kilovat.

Mesatarja e çmimit për një kilovat në vendet e BE-së është 0.2134 euro, kurse në vendet e Eurozonës është 0.2272 euro.

Komisioni Evropian po shqyrton ankesat e disa vendeve të Bashkimit Evropian se Rusia po përdor pozicionin në treg për të nxitur rritjen e çmimeve të gazit në rajon. Spanja, Franca dhe Greqia i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ketë një përgjigje të përbashkët në lidhje me rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë. Konsumatorët janë duke i ndjerë efektet në shumë vende evropiane nga ngritja e çmimit të gazit dhe energjisë elektrike.