Kosova lejon vaksinimin e personave nën 18 vjeç

Kosova ka ndryshuar Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 duke lejuar edhe personat nën 18 vjeç të imunizohen kundër sëmundjes.
Sipas vendimit të ri, u lejohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer ndërsa për grupmoshën 12-15 vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.

Sipas njoftimit, vendimi është bazuar në faktin se vaksina Pfizer-BioN/Tech është miratuar nga rregullatorët e BE-së dhe SHBA-së për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç.
Deri më tani në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë pasur vetëm personat mbi 18 vjeç.
Që prej fundit të marsit 2021, kur Kosova nisi fushatën e vaksinimit, mbi 200 mijë persona janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës, ndërkaq numri i përgjithshëm i dozave të administruara është mbi 550 mijë.