Kosova heq karantinën për personat që vijnë nga jashtë


Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë, për mbylljen e hapësirave që kanë shërbyer si karantinë, për personat që kanë hyrë në Kosovë nga vendet tjera.

Vendimi për mbylljen e karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe qendrën për të huaj në Vranidoll, hyn në fuqi më 30 maj.

“Ministria e Shëndetësisë obligohet të sigurojë që personat që gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe në Vranidoll, t’i testojë për COVID-19 dhe të njëjtit të lirohen në vetizolim për 14 ditët e ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Qeveria bënë të ditur se pas mbylljes së karantinës, të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës, obligohen të vetizolohen për 14 ditët e ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse.

Në arsyetim të vendimit të Qeverisë thuhet se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, krahasuar me situatën paraprake.

Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 1,047 raste me koronavirus.

Prej tyre, 794 janë shëruar dhe 30 kanë vdekur.