Kosova do të përfitojë falas 360 mijë vaksina kundër koronavirusit


Kosova do të përfitojë 360,000 vaksina falas nga Aleanca Botërore e Vaksinimit, e njohur si COVAX. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se pjesën tjetër të vaksinave, Kosova do ta blejë me mjete të veta financiare, kur ato të jenë në treg dhe të lejuara për përdorim te njerëzit.

“Kosova, prej disa muajsh, ka qenë në bisedime me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe partnerët ndërkombëtarë. Aleanca Botërore e Vaksinimit e ka futur Kosovën në mesin e shteteve përfituese falas të 20% të sasisë së vaksinave, apo 360,000 doza të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Këtë javë, kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech kanë konfirmuar se vaksina e tyre kundër koronavirusit “ofron mbrojtje 90%”. Dy kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës së tyre në fund të këtij muaji.