Kosnett: Gjykata Speciale duhet të lejohet të punojë pa obstruksione

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha se nuk pret trazira në Kosovë si pasojë e veprimeve të fundit të Gjykatës Speciale. Duke folur në një online-tryezë me gazetarë kosovarë, organizuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, Kosnett tha se Gjykata Speciale është një institucion i rëndësishëm dhe i pavarur dhe ajo duhet të lejohet të kryejë punën e vet.

I pyetur nëse pret trazira si pasojë e arrestimeve të fundit, ai u përgjigj: Jo. Në lidhje me vet arrestimet nga Gjykata Speciale, javën e kaluar, Kosnett tha se nuk dëshiron të komentojë për rastet individuale, por theksoi se drejtësia është me rëndësi.

“Me rëndësi është që Gjykata të lihet të bëjë punën e vet”, tha Kosnett.
Duke adresuar çështjen e ngritur për aktakuza ndaj shqiptarëve në kohën kur ka më pak hetime dhe aktakuza ndaj serbëve për krimet e kryera në Kosovë, ambasadori Kosnett tha se Kosova dhe rajoni “duhet të kërkojnë më shumë drejtësi, jo më pak drejtësi”.