Korridori 8 përfundon në 2025!

E njëjta kompani me procedurë të shkurtuar pritet të ndërtojë dhe projektojë autostradat e pa ndërtuara në vend. Me fjalë të tjera, nuk do të ketë tender, por një model të ri që duhet ta miratojnë deputetët në Parlament. Një praktikë e tillë, sipas kompetentëve, ka dhënë rezultate të mira në më shumë shtete, ndërsa do të evitojë problemet eventuale siç ishin ato me autostradën Kërçovë-Ohër ku për shkak të planifikimit jo të mirë në terren ishte huqur drejtimi i trasesë.

Propozim-ligji i cili parashikon që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa tender të angazhohet konsorciumi amerikano-turk “Behtel Enka”, për projektimin dhe ndërtimin e Korridorit 8 në aksin Tetovë-Gostivar-Bukojçani, projektit për autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë e Thanës dhe Korridorit 10D, të autostradës Prilep-Manastir, pritet të miratohet nga të zgjedhurit e popullit me procedurë të shkurtuar. Akoma nuk dihet se sa do të jetë kostoja e ndërtimit të këtyre rrugëve të reja moderne.

Me fjalë të tjera, procedurat më të shpejta nënkuptojnë se nuk do të shkohet me procedurat e projektimit, pastaj revizioni, projektime shtesë dhe procedura të ndërtimit, por të gjitha fazat e ndërtimit nga fillimi deri në fund do ti adresohen kontraktuesit që udhëheq procedurën e tërësishme lidhur me projektimin dhe ndërtimin. Ekzekutivi disa herë ka kërkuar përkrahje edhe nga opozita për këtë ligj, për shkak të shkurtimit të procedurave dhe ndërtimit më të shpejt të këtyre akseve rrugore. Në propozim-ligj parashikohet që së paku 51 për qind e punëve do të shfrytëzohen nga resurset lokale.

“Në bazë të këtij ligji, partnerit strategjik i mundësohet të realizojë proces unik të ndërtimit të Projektit përmes metodës së shpejtë të planifikimit, realizimit dhe ndërtimit. Në bazë të kësaj, partnerit strategjik i lejohet të ndërtojë edhe akse të veçanta të projektit në pjesë të caktuara në bazë të projekteve të disponueshme, që do ti mundësojnë atij të realizojë faza të ndryshme të punëve, para se të përfundojë tërësisht dizajni i tërë projektit”, thuhet ndër të tjerash në propozim-ligj.

Njëherësh, me zgjidhjen e re ligjore, parashikohet edhe liri më e madhe e partnerit strategjik lidhur me fillimin e ndërtimit të akseve të caktuara, përderisa zgjat procedura për tjetërsimin e tokës. Njëherësh, organet shtetërore janë të obliguara të lëshojnë të gjitha licencat e nevojshme me procedurë të shkurtuar. Gjithashtu, për punë të caktuara ndërtimore, “Behtel Enka” nuk do të ketë nevojë aspak të nxjerrë lejet dhe licencat e caktuara. Parashikohet që pushteti lokal të ndihmojë partnerin strategjik për të gjitha çështjet me rëndësi për realizimin e projektit në mënyrë të përshpejtuar. Kjo ndihmë përfshin edhe sigurimin e shërbimeve komunale si uji, rryma dhe të ngjashme për realizimin e projektit.

Kohë më parë drejtori i Ndërmarrjes publike për menaxhimin e rrugëve shtetërore, Ejup Rustemi theksoi se pret që Korridori 8 prej Shkupit deri në Qafë Thanë të jetë gati më vitin 2025. “Duke i marrë parasysh përvojat e kompanisë amerikane me ndërtimin e autostradave në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, besoj se me të njëjtën dinamikë dhe procedurë do të ndërtohet edhe në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha pritshmëritë janë se ky Korridor në tërësi do të përfundojë deri në fund të vitit 2025”, shton Rustemi. Sipas tij, do të saktësohen edhe datat e realizimit për çdo fazë të realizimit të këtij projekti. Ndryshe, përfundimi i Korridorit 8 në nivel të autostradave pritet të nxisë edhe këmbimin tregtar midis shteteve të rajonit si dhe të përshpejtojë rritjen e tyre ekonomike.