Koronavirusi “vë në gjumë” edhe qytetin që nuk fle kurrë


Nju Jorku i zhurmshëm u zgjua si një qytet fantazmë të hënën, ndërsa qytetarët dëgjuan thirrjen e qeverisë për të ruajtur distancën sociale.

Hapësirat publike, zakonisht të tejmbushura me njerëz, tanimë janë të shkreta. Me BrodWay-n e mbyllur, Times Square dukej shumë më i qetë, ndërsa Terminali Grand Central përjetoi rënie të ndjeshme të lëvizjeve, pasi qytetarët po punojnë nga shtëpia.

Jeta do të ndalet edhe më tej gjatë ditëve në vijim në shumë shtete amerikane. Kryebashkiakët e Nju Jorkut dhe Los Angeles kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha bareve, restoranteve, klubeve, kinemave e teatrove nga e marta, 17 mars. Në Las Vegas mbyllin dyert disa prej kazinove të famshme. Edhe në Kaliforni, Ilinois dhe Ohio do të ulin qepenët shumë lokale.

“Jetët tona po ndryshojnë në një mënyrë që nuk mund ta imagjinonim as një javë më parë. Po ndërmarrim veprime që kurrë nuk do të mendonim, për të shpëtuar jetë njerëzore. Tani është momenti për të marrë një tjetër masë drastike. Virusi mund të përhapet me shpejtësi në restorante e bare ku njerëzit ulen pranë njëri tjetrit. Prandaj duhet ta ndërpresim këtë qark”.

Me këto fjalë, kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill De Blasio, njoftoi firmosjen e një dekreti që kufizon restorantet dhe baret vetëm tek dërgesat në shtëpi. Sa i përket kinemave, teatrove dhe sallave të koncerteve, De Blasio tha se duhet të mbyllen të gjitha. “Nju Jorku gjendet përballë një kërcënimi të paprecedentë e duhet të reagojmë me mentalitetin e kohëve të luftës”, shtoi më tej De Blasio.